Mirësevini në faqen e Gjykatës
së Shkallës së Parë të Juridiksionit
të Përgjithshëm Tiranë



Takim me Gazetarët

Datë: 10.01.2024

TAKIM ME GAZETARËT

 

Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Penale, sot në datën 10.01.2024, u zhvillua takimi i organizuar nga Zyra për Marrëdhëniet me Publikun dhe Median, nën drejtimin dhe moderimin e Gjyqtares për Median Migena Laska, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Në këtë takim u bashkëbisedua mes pjesëmarrësve, lidhur me çështje që kanë të bëjnë me Marrëdhëniet mes Gjykatës dhe Medias, mundësinë e përafrimit dhe lehtësimit të këtij komunikimi, u evidentuan problematika të ndryshme të konstatuara, si dhe u dhanë disa sugjerime, mendime nga secili prej pjesmarrësve me shumë vlerë dhe interes në gjetjen e mekanizmave në përmirësimin, bashkërendimin, dhe vijimin gjithnjë në progres të  marrëdhënieve të Gjykatës me publikun në tërësi si dhe me median.

Ndër të tjera Gjyqtarja për Median pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, prezantoi për të pranishmit, ecurinë e deri tanishme (përgjatë vitit 2023) të veprimtarisë së Zyrës për Marrëdhënit me Publikun dhe Median, si dhe parashtroi vizionin, iniciativat e propozuara, dhe qëllimet e kësaj zyre në kuadër të funksionimit dhe zhvillimit të mëtejshëm në përafrimin e marrëdhënieve ndërmjet Gjykatës, Publikut dhe Medias.

 

Koordinatorja për Median

Gjykata e Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë

Ola Ismaili

 

 

PREZANTIM

PËRMBLEDHJE E VEPRIMTARISË,  NISMAVE DHE AKTIVITETIT TË KRYER NGA

ZYRA PËR MARRËDHËNIET ME PUBLIKUN DHE MEDIAN

NË GJYKATËN E SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT  TË PËRGJITHSHËM TIRANË - 2023

 

Takim i organizuar dhe i thirrur nga Gjyqtarja për Median, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me objekt:

Bashkë-rendimin dhe mirëfunksionimin e të gjithë punëve dhe veprimtarisë institucionale në kuadër të gjetjes së mekanizmave efikasë që vendosin ura të reja bashkëpunimi dhe  forcojnë dialogun midis sistemit gjyqësor, publikut dhe medias”.

Kjo iniciativë, e ndërmarrë nga Zyra për Marrëdhëniet me Publikun dhe Median, vjen në këtë fillim viti në kuadër të përafrimit të komunikimit institucional me Median, dhe komunikimin publik në tërësi, të Zyrës për Marrëdhënien me Publikun dhe Median, kjo në zbatim me “Programin e Transparencës”.

Në vetvehte ky komunikim, ka për qëllim rritjen dhe efikasitetin e aksesit, pjesëmarrjes, si dhe në marrjen e informacionit të nevojshëm, apo të kërkuar në Gjykatë:

  1. brenda një kohe sa më të shkurtër,
  2. në formën e duhur,
  3. në formën e saktë,
  4. në formë ligjore,
  5. në respektim me të gjitha detyrimet kushtetuese dhe ligjore,
  6. në përputhje me K.E.D.NJ, si dhe të gjithë praktikat e GJEDNJ,
  7. në përputhje me të drejtat dhe liritë themelore të individit,
  8. në përputhje me ruajtjen dhe mbrojtjen e sekretit hetimor,
  9. në përputhje dhe në respektim me mbrojtjen e të drejtave proçedurale të të miturve (të përfshirë në një proçes gjyqësor),
  10. në respektim me parimin e “prezumimit të pafajësisë[1]”,
  11. në respektim me parimin e “mbrojtjes së të dhënave dhe jetës private[2]”.

 

Zyra për Marrëdhëniet me Publikun dhe Median, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e ka vijuar aktivitetin e saj konkret nën drejtimin tashmë të Gjyqtares për Median, Migena Laska, e caktuar me Vendimin Nr. 101, datë 06.03.2023 të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Në mënyrë të vazhdueshme, madje insistuese, Zyra për Marrëdhëniet me Publikun dhe Median, është përpjekur që nëpërmjet ideve dhe angazhimeve të saj të herë pas hershme, të ndërmarrë nisma dhe projekte të reja në kuadër të funksionimit dhe zhvillimit të mëtejshëm dhe sa më efikas në kuadër të “Programit të Transparencës”, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Në disa takime, mbledhje pune, si dhe aktivitete zyrtare të organizuara dhe të iniciuara nga ZMPM, është kërkuar dhe janë bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për të krijuar me veprime konkrete mekanizma të cilat të bëjnë sa më konkrete dhe efektive transparencën dhe hapjen e veprimtarisë së gjykatës kundrejt publikut dhe medias.

Ndër të tjera, disa nga iniciativat e ndërmarra e të propozuara për t’u ndërmarrë (pasi për disa veprimtari nevojitet vendim-marrja e Këshillit të Gjykatës, si edhe vullneti, bashkëpunimi, mbështetja dhe ndërveprimi i secilit prej gjyqtarëve të trupës gjyqësore pranë kësaj gjykate), rezultojnë të prezantuara si më poshtë:

  1. I është kërkuar me shkresë zyrtare, dërguar zyrtarisht, Këshillit të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë/ N/Kryetarit të Gjykatës, Kancelarit të Gjykatës, që në momentin e kryerjes së njoftimeve proçedurale të palëve në proces, t’u komunikohet njëkohësisht edhe kodi i anonimizimit të çështjes tek e cila janë palë në gjykim. Në mënyrë që të kenë të drejtën e aksesit dhe të marrjes së informacionit të nevojshëm drejtë për së drejti nëpërmjet të dhënave të publikuara në faqen zyrtare on line të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, jo vetëm për datën dhe orën e seancave gjyqësore, por gjithashtu edhe për të gjithë ecurinë e gjykimit.

 

  1. Nxjerrja si dhe vënia në dispozicion e informacioneve/ të dhënave/ vendimeve të ndryshme, të kryhet vetëm në formë dhe në rrugë zyrtare, nëpërmjet Koordinatores për Marrëdhëniet për Median dhe Publikun, në bashkëpunim me IT të e gjykatës, si dhe sekretaritë gjyqësore përkatëse.

 

  1. Të kryhet në faqen zyrtare on line, publikimi i urdhërave të brendshëm të Këshillit të Gjykatës, që përbëjnë interes për median dhe publikun të tilla si:
  2. Lista e gadishmërisë së masave të sigurimit;
  3. Lista e gadishmërisë së masave për të miturit;
  4. Ndarja me short elektronik apo manual i çështjeve gjyqësore.

 

  1. Publikimi periodik on line (ditor/javor) i kalendarit të seancave gjyqësore, lidhur me gjykimet e themelit, si dhe i gjykimeve të kërkesave penale. Veprimtari e cila vijon tashmë të kryhet në mënyrë periodike dhe sistematike, prej muajit Qershor 2023 nga Zyra për Marrëdhëniet me Publikun dhe Median. Veprimtari e cila ka rezultuar shumë efikase, në dhënien/marrjen e informacionit të nevoshëm e të kërkuar si nga palët ndërgjyqëse ashtu edhe nga të interesuarit/ gazetarët etj, lidhur me datat dhe oraret e të gjitha seancave gjyqësore, të cilat zhvillohen çdo javë si në dhomën penale ashtu edhe në atë civile, të kësaj gjykate.

 

  1. Publikimi periodik on line (ditor/javor) i kalendarit të seancave gjyqësore, lidhur me kërkesat penale të cilat shqyrtohen me dyer të mbyllura, në kuadër të “Gadishmërisë për shqyrtimin e kërkesave me karakter të ngutshëm, gjatë fazës së hetimit praprak”/ masat e sigurimit, etj.  Kjo iniciativë krejt e re, u praktikua dhe u prezantua për herë të parë në këtë gjykatë nga vetë Gjyqtarja për Median, në javën e gadishmërisë së saj në kuadër të shqyrtimit të kërkesave me karakter urgjent, të cilat shqyrtohen gjatë fazës së hetimit paraprak. Ky moment u këshillua nga Gjyqtarja për Median edhe nën asistencën dhe sugjerimet tepër bashkëpunuese të ekspertëve kompetentë pranë Zyrës së Komisionerit Publik për Mbrojtjen e të Dhënave Personale; ky publikim ishte menduar si i tillë vetëm sa i përket njoftimit të palëve, si dhe të personave të interesuar për zhvillimin e dates dhe të orës së gjykimit të këtyre kërkesave, pa publikuar të dhënat e personalizuara (gjeneralitetet) e palëve, as akuzat penale, dhe asnjë të dhënë lidhur me hetimin paraprak, me qëllim ruajtjen dhe mbrojtjen qoftë të parimit të “prezumimit të pafajësisë”, ashtu edhe atë të “ruajtjes dhe mbrojtjes së “sekretit hetimor”. Mënyra e zhvillimit të seancave, sigurisht gjithnjë ka qënë diskrecion (vendim-marrje) e gjyqtarit përkatës. Kjo iniciativë pati disa kontestime nga shumica e trupës gjyqëore, të cilët refuzuan ta ndjekin praktikën e çelur, e cila deri në këto momente nuk ka gjetur mbështetjen e mjaftueshme të trupës gjyqësore.

 

  1. Publikimi në kohë sa më të shpejtë/ të shkurtër, i dispozitivit (pjesës urdhëruese) si dhe vendimeve përfundimtare, të marra nga gjykata, të cilat përbëjnë interes publik apo mediatik. Me kërkesë, qoftë edhe kryesisht nga M.P.M. Për publikimin e të cilave është e ngarkuar ex officio Koordinatorja për Marrëdhëniet me Publikun dhe Median, pranë gjykatës.

 

  1. Të kryhet njoftim publik, në faqen zyrtare on line të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për zhvillimin e ri-shortimit të të gjitha dosjeve gjyqësore, të cilat me parë kanë rezultuar në gjykim, pranë gjyqtarit/gjyqtarëve të pezulluar nga detyra (për shkak të vettingut). Kjo me qëllim mire-informimin në kohë të arsyeshme të palëve të interesuara.
  2. Përditësimi/ azhornimi i njoftimeve për publikun dhe median në rrjetet sociale të administruara nga Koorditatorja për Marrëdhëniet me Publikun dhe Median në Gjykatë, në bashkëpunim të vazhdueshëm me IT-të e Gjykatës, bazuar në të gjitha orientimet e dhëna nga Gjyqtarja për Median.

 

  1. Pasqyrimi në mënyrë të përditshme i njoftimeve për publikun që i përkasin seancave gjyqësore civile/penale, për të cilat shfaqet/paraqitet interes publik/ mediatik. Kjo do të kryhet nga Koorditatorja[3] për Marrëdhëniet me Publikun dhe Median në Gjykatë, në bashkëpunim të vazhdueshëm me IT-të e Gjykatës, gjithmonë në konsultim me Gjyqtaren për Median.

 

  1. Evidentimi, si dhe vënia në dispozicion e informacioneve/ të dhënave/ vendimeve gjyqësore, duhet të kryhet vetëm në formë dhe në rrugë zyrtare, dhe të anonimizuar, gjithmonë nëpërmjet Koordinatores për Marrëdhëniet për Median dhe Publikun. Kjo me qëllimin e vetëm për të garantuar saktësinë, vërtetësinë, korrektësinë, ligjshmërinë dhe çdo përgjegjësi përkatëse në dhënien apo publikimin e çdo informacioni.
  2. Në kushtet dhe për sa kohë që, sistemi i ri elektronik, akualisht në fuqi, pranë kësaj gjykate, nuk mundëson aksesin për publikun dhe median në hapjen dhe leximin on line të vendimeve gjyqësore të shpallura dhe të arsyetuara nga gjykata, në mënyrë të Anonimizuar, këto kërkesa do të shqyrtohen rast pas rasti, manualisht nga Koordidantorja për MPM në konsultim (eventualisht të nevojshëm) me Gjyqtaren për MPM pranë kësaj gjykate, si dhe në bashkëpunim të vazhdueshëm me IT-të e Gjykatës, duke mundësuar brenda një afati sa më të shkurtër dhe sa më të arsyeshëm kohor,  ofrimin e duhur të këtij shërbimi, në mënyrë të drejtë, të barabartë, transparent, si dhe në zbatim me llegjislacionin në fuqi.

 

  1. Publikimin në faqen on line të gjykatës, të të gjitha vendimeve të marra nga Këshilli i Gjykatës; veçanërisht ato vendime për të cilat këshilli ka marrë vendim për publikimin e tyre. –  Detyrë kjo e IT-ve të Gjykatës

 

  1. Publikimi i tarifave zyrtare lidhur me shpenzimet gjyqësore.

 

  1. Publikimi i listës së avokatëve kryesisht (me qëllim përfshirjen dhe thirrjen e tyre në proçese gjyqësore në respektin të listave të publikuara; gjë e cila nuk na është mundësuar dhe lehtësuar deri më sot nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, me gjithë kërkesat e përsëritura nga ana jonë/ psikologëve të liçensuar/ ekspertëve, të fushave të ndryshme.

 

  1. Publikimi i emrave të gjyqtarëve, bashkëngjitur CV-të e tyre personale, të përpiluara në një format TIP (të draftuar dhe të shpërndarë për t’u plotësuar prej vetë tyre, në adresat elektronike të secilit), shoqëruar një foto personale.

 

  1. Azhornim i listës së gjyqtarëve/magjistratëve aktualisht në detyrë pranë kësaj gjykate!

 

  1. Publikimi i emrave të administratës, bashkëngjitur CV-të personale të përpiluara në një format TIP, shoqëruar një foto personale.

 

  1. Krijimi i folderit të dedikuar komunikimin dhe të gjitha njoftimet publike në kuadër të marrëdhënies me median dhe publikun në tërësi – detyrë funksionale e IT-ve.

 

  1. Publikimi i të dhënave mbi transparencën financiare, administrimi i buxhetit, raporti i auditimit të brendshëm, lista kontratave, lidhur me palën e tretë në kuadër të shërbimeve të ndryshme.

 

  1. Vënia në funksionim dhe efikasitet të monitorëve të montuar në sallat dhe korridoret e gjykatës/ve, për shfaqjen e kalendarit të seancave gjyqësore ditore/ javore.

 

  1. Realizimi dhe publikimi i video klip orientues (onscreen recording), drejtuar publikut/ gazetarëve/ palëve në gjykim, për mënyrat e aksesimit në gjykatë, si dhe për marrjen në kohë reale të informacionit të nevojshëm në faqen on line të gjykatës, dhe jo vetëm.

 

  1. Realizimi i një Rubrike të Posaçme në faqen zyrtare on line të Gjykatës mbi, historikun në administrimin dhe drejtimin institucional, si dhe kontributet & vlerat e përcjella ndër vite nga gjyqtarë të ndryshëm të cilët kanë kryer njëkohësisht edhe detyrën e Kryetarëve pranë kësaj gjykate, duke filluar nga viti 1990 e në vazhdimësi. Shoqëruar me: emra, mbiemra, foto personale, periudhat përkatëse në të cilat ata kanë kryer detyrën e kryetarit pranë kësaj gjykate, si dhe CV-të eventuale të tyre – ato çfarë mund të disponohen. – dërguar e-maili qarkullues, në datën 04.07.2023. Iniciativë e cila tashmë rezulton e realizuar, e publikuar dhe e shfaqur në faqen zyrtare të ëeb site të Gjykatës.

 

 

  • Lista e aktiviteteve, të tjera të planifikuara sikurse edhe të zhvilluara ndërkohë nga ZMPM:
  1. Krijimi i folderit të veçantë “Komunikim me Median dhe Publikun” dhe plotësimi i tij me informacion të vazhdueshëm.

 

  1. Azhornimin e Regjistrit te Kërkesave dhe Përgjigjeve në fund të çdo 3-mujori, sipas formatit të miratuar[4].

 

  1. Publikimi i hartës së re gjyqësore, në rrjetet sociale, me qëllim informimin e vazhdueshëm të publikut.

 

  1. Hartimi dhe publikimi i materialeve informuese në gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme lidhur me riorganizimin e kompetencave tokësore të gjykatave. Iniciativa të tilla, kuptohet që kërkojnë edhe mbështetje të vazhdueshme financiare çfarë shpesh here është e vështirë për buxhetet e gjykatave.

 

  1. Lidhur me çdo çështje/kërkesë penale që do të ketë interesim publik/mediatik, do publikohet në fund të ditës dispozitivi i vendimeve gjyqësore (çfarë vendosi gjykata). Edhe për masat e sigurimit, në rastet me interesim publik/mediatik (të shtuar).
  2. Njoftimi i shortit/ lista e gjyqeve (seancat gjyqësore në dhomën civile + penale, periodikisht, çdo javë)/ seanca gjyqësore/ ditët kur gjykata do jetë e mbyllur apo në ndonjë aktivitet të caktuar.

 

  1. Plotësimi/ përditësimi i llogarive në rrjete sociale.

 

  1. Publikimi i vidiove orientuese, që tregojnë se si të aksesosh të drejtat në Gjykatë dhe si të sillesh në raport me të drejtat dhe detyrimet përkatëse.

 

  1. Realizimi i një video “Turi virtual në Gjykatë, në secilën prej dhomave civile dhe atë penale” duke paraqitur gjykatën dhe ambjentet e saj (sportelet, sallat e gjyqit, siguria, kodin e sjelljes, infrastrukturën etj). Me qëllim mirë-informimin e publikut, si dhe të medias në tërësi (personave të interesuar).

 

  1. Publikimi i fotove/ vidio të sporteleve lidhur me shërbimet që ofrohen nga administrata gjyqësore në Gjykatë.

 

  1. Publikimi i legjislacionin në zbatim
  1. “Ligji për të Drejtën e Informimit”
  2. “Ligji për Ruajtjen e të dhënave personale”
  3. Kodi Civil
  4. Kodi i Proçedurës Civile[5]
  5. Kodi Penal
  6. Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur;
  7. Kodi i Proçedurës Penale[6];
  8. Vendimi Nr. 101, datë 06.03.2023 i Këshillit të Lartë Gjyqësor, për caktimin e Gjyqtarit të Medias;
  9. Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut;
  10. Konventa për të Drejtat e Fëmijëve; Miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara më 20 nëntor 1989;
  11. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë;
  12. Vendimi Nr. 716, datë 06.12.2023 I KLGJ për miratimin e Udhëzuesit Standard të marrëdhënieve të Gjykatës me Publikun dhe median.
  13. Ligji "Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë",
  14. Ligji "Për organizimin e pushtetit gjyqësor".

 

  1. Ditët e hapura në Gjykatë”- aktivitet me shkolla të ndryshme, universitetet publike dhe private, avokatë, qytetarë të interesuar, gazetarë, analistë, persona  të interesuar lidhur me veprimtarinë e Gjykatës. Ky është një projekt i ri, i cili do të vijojë të zhvillohet në mënyrë periodike, të enjten e fundit, të çdo muaji, në ora 9:00 – 10:00.

 

 

  • NGARKESA E PUNËS SË GJYQTARËVE GJATË VITIT 2023:

Në këtë takim Zyra për Marrëdhëniet me Publikun dhe Median kërkon të sjellë në vëmendje të shtuar edhe ngarkesën e punës që rezulton të jetë reflektuar dhe që është përballuar në mënyrë të shtuar në Gjykatën e Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Ajo që më së shumti konstatohet, është fakti se ndonëse numri i gjyqtarëve aktualisht pjesë efektive e organikës së trupës gjyqësore pranë kësaj gjykate, është sa gjysma e kapacitetit të parashikuar me ligj (76 gjyqtarë në total), puna që përballohet prej këtij numri thuajse të përgjysmuar gjyqtarësh, është vetëm në rritje.

Gjatë vitit 2023, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, rezultojnë të jenë gjykuar/shqyrtuar (në proçes + të përfunduara me vendim përfundimtar) = 48.000 çështje gjyqësore.

  • Ngarkesa mesatare e një gjyqtari në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në Dhomën Penale, në datën 12.2023, është 250 – 300 dosje në gjykim.
  • Ndërkohë një gjyqtar në dhomën penale rezulton të ketë përfunduar/shpallur, arsyetuar dhe dorëzuar mesatarisht 800 vendime përfundimtare, gjatë periudhës 1 janar – 31 Dhjetor 2023.
  • Ngarkesa vjetore e çështjeve të gjykuara/ të marra në shqyrtim në harkun e një vitit (2023), e një gjyqtari në dhomën penale, rezulton mesatarisht 000 çështje.
  • Ngarkesa mesatare e një gjyqtari në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në Dhomën Civile, në datën 12.2023, është 500 – 1.000 dosje në gjykim.
  • Ndërkohë një gjyqtar në dhomën civile rezulton të ketë përfunduar/shpallur, arsyetuar dhe dorëzuar mesatarisht 700 – 1.000 vendime përfundimtare, gjatë periudhës 1 janar – 31 Dhjetor 2023.
  • Ngarkesa vjetore e çështjeve të gjykuara/ të marra në shqyrtim në harkun e një vitit (2023), e një gjyqtari në dhomën civile, rezulton mesatarisht 200 – 1.300 çështje.

Ndonëse në datën 1 Maj 2023, ka hyrë në fuqi “Organizimi i ri sipas hartës së re gjyqësore të Gjykatave”, dhe Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, rezulton e shtuar në kuadër të organikës së numrit të gjyqtarëve, ngarkesa e numrit të çështjeve të gjykuara/të përfunduara sikurse edhe ato në proçes/në gjykim, mbetet e lartë. Kjo referuar të gjitha të dhënave statistikore të nxjerra nga sistemi i brendshëm elektronik i Gjykatës. Edhe për faktin sepse shkrirja e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, solli solli dhe bashkoi të gjitha gjykimet e asaj gjykate pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, një pjesë e madhe të të cilave u ri-shortuar dhe u ri-shpërnda tek secili prej gjyqtarëve të Gjykatës së Shkallës së Përë të Juridiksioonit të Përgjithshëm Tiranë, paçka nga ngarkesat e mëparshme të tyre.

Një gjyqtar i cili ka qënë pjesë e trupës gjyqësore të kësaj gjykate, në dhomën penale edhe para datës 1 Maj 2023, rezulton që në datën 31.12.2023, të ketë në gjykim rreth 250 dosje, dhe të përfunduara 900 vendime përfundimtare.

Një gjyqtar i cili është bërë pjesë e trupës gjykuese të kësaj gjykate, në dhomën penale, nga data 1 Maj 2023, rezulton që në datën 31.12.2023, të ketë 269 dosje në gjykim, dhe të këtë përfunduar mesatarisht me vendim përfundimtar 468 vendime.

Një gjyqtar i cili ka qënë pjesë e trupës gjyqësore të kësaj gjykate, në dhomën civile edhe para datës 1 Maj 2023, rezulton që në datën 31.12.2023, të ketë në gjykim rreth 900 dosje, dhe të përfunduara 1.000 vendime përfundimtare.

Një gjyqtar i cili është bërë pjesë e trupës gjykuese të kësaj gjykate, në dhomën civile, nga data 1 Maj 2023, rezulton që në datën 31.12.2023 të ketë, 244 dosje në gjykim, dhe të këtë përfunduar me vendim përfundimtar 336 vendime.

Pra, sikurse vihet re qartësisht nga të dhënat statistikore të mbledhura, rezulton që ndonëse gjykata me riorganizimin e organikës dhe hartës gjyqësore është e shtuar në numër gjyqtarësh, 17 gjyqtarë në dhomën penale (deri në datën 31.12.2023), dhe 30 gjyqtarë në dhomën civile (deri në datën 31.12.2023), në total 47 gjyqtarë efektivisht në detyrë deri në fund të vitit 2023, ngarkesa e punës së përballuar nga këta gjyqtarë gjatë vitit 2023 nuk rezulton aspak e ulur, apo e lehtësuar.

Këtu duhet theksuar se ngarkesat e evidentuara si më sipër, përkojnë vetëm me numrin e çështjeve në të cilat gjyqtarët janë në cilësinë e Relatorit.

Por sigurisht, që në të njëjtën kohë, po këta gjyqtarë gjykojnë edhe në mjaft çështje të tjera, në cilësinë e anëtarit të trupës gjykuese, çfarë sigurisht që e shton ndjeshëm numrin e çështjeve në gjykim/ apo në ngarkim të po të njëjtit gjyqtar. Pra, ngarkesa efektive, reale, është akoma edhe më e madhe se ajo e pasqyruar në statistikat, e evidentuara dhe të pasqyruara në sistemin e brendshëm të gjykatës. Aq më tepër sa kohë që organika e trupës gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, mbetet thuajse e përgjysmuar, krahasimisht me numrin e parashikuar me ligj i cili është 76 gjyqtarë në total.

  • Ky fakt dhe këto rrethana janë evidentuar dhe konstatuar qartësisht edhe në Raportin e Inspektimit të Datës 29 Shtator 2023 të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë[7], “Mbi proçedurën e shpalljes dhe të arsyetimit të vendimeve gjyqësore .....” – shiko faqet 9,11,14,15,20 të këtij raporti.
  • Kësaj ngarkese i shtohen edhe komandimet e shumta në numër, të gjyqtarëve të kësaj gjykate në Gjykata të tjera gjyqësore, të caktuar me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për shkak të mungesës apo të konsumimit të gjyqtarëve në ato gjykata.
  • Po kështu, komandimet e shumta në numër, të gjyqtarëve të kësaj gjykate në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të caktuar me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për shkak të konsumimit të gjyqtarëve në shqyrtimin e këtyre gjykimeve.
  • Një numër i konsiderueshëm i gjyqtarëve/Magjistratëve në detyrë, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kryejnë ndër të tjera edhe funksionin/ detyrën e Gjyqtarit Udhëheqës për kandidatët për magjistratë, çfarë sigurisht kërkon dhe merr kohë, vëmendje, angazhim dhe përgjegjësi maksimale, në përmbushjen e këtij detyrimi ligjor.
  • Një tjetër angazhim ligjor, i Magjistratëve në detyrë, është ndjekja e Trajnimeve Vazhduese në Shkollën e Magjistraturës. Çfarë pa dyshim kërkon kohë dhe vëmendje të shtuar.
  • Magjistratët çdo ditë hasen me mungesën e një stafi të kualifikuar mbështetës, ndihmës, lehtësues. Mungesa e një këshilltari, asistenti ligjor pranë zyrës së gjyqtarit, për të lehtësuar sado pak punën përgatitore, fillestare në administrimin dhe shqyrtimin e dosjeve në ngarkim.
  • Stafi i gjykatës, administrata gjyqësore, sekretaria gjyqësore, nuk vjen nga një formim profesional i mirëfilltë; mungon formimi fillestar dhe pregatitja profesionale e tyre. Mungon statndartizimi/unifikimi në kryerjen dhe përmbushjen e punës dhe detyrave të tyre funksionale.
  • Sallat e gjyqit dhe infrastruktura në tërësi pranë kësaj gjykate nuk ofron hapësira dhe kushte komode pune. Sallat janë të limitura në numër, në disproporcion total me numrin e gjykimeve që zhvillohen çdo ditë. Magjistratët nuk kanë zyra të posaçme, të dedikuara për studimin dhe arsyetimin e çështjeve në ngarkim. Punojnë në të njëjtën zyrë me sekretarinë gjyqësore.
  • Aksesi (hyrja dhe dalja) në gjykatën penale (veçanërisht), është e njëjtë (përgjatë të njëjtave shkallë) me të gjithë publikun, palët ndërgjyqëse, avokatët, administratën, gjyqtarët, të gjithë përsonat e interesuar që mund të dalin dhe hyjnë në ambjentet e kësaj gjykate.
  • Dyert e zyrave të gjyqtarëve, ndërkohë që ata janë duke punuar dhe ushtruar funksionin e tyre kushtetues, hapen dhe mbyllen lehtësisht edhe nga qytetarë apo palë, apo avokatë, që përhumbtazi kërkojnë edhe një informacion spontan të llojit; “ku ndodhet zyra e arkivës”, “ku e ka zyrën ....”, etj si këto! ....

E paçka nga të gjitha këto vështirësi të shumta dhe të vazhdueshme, gjyqtarët, vijojnë të përballojnë një punë tepër voluminoze[8], me shumë përgjegjësi, vështirësi, dhe me plot sfida e sakrifica, të pasqyruara deri në jetën e tyre individuale dhe familjare, e cila vjen në rradhë të dytë apo të tretë për shkak të volumit dhe të përballimit të vështirësisë së punës.

Me dëshirën e mirë për të qënë dhe për t’u shfaqur sa më konkretë, realë, njerëzorë, korrektë por mbi të gjitha shumë profesionalë, mendoj dhe besoj që ka ardhur koha që pas këtij prezantimi shumë të qartë dhe konkret të punës tonë të përditshme, reflektuar edhe nga të dhënat e detajuara, të bashkëbisedojmë dhe të gjejmë rrugën e duhur, për të ndërvepruar me qëllim funksionimin e plotë, të duhur, dhe tepër korrekt të Marrëdhënieve të Gjykatës me Publikun dhe Median.

 

Faleminderit!

 

GJYQTARJA PËR MEDIAN

Migena Laska

Gjyqtare/ Magjistrate 

Gjyqtare për Median

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë

Dhoma Penale

Seksioni për të Miturit

Adresa: Rruga "Jordan Misja", Tiranë

E-mail: mlaska@gjykatatirana.gov.al

            migenachris@yahoo.com 

            officeofjudge@gmail.com  

Tel:      +355 69 522 2202

 

 

[1] Neni 10 – 11 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, miratuar në datën 10 dhjetor të vitit 1948, nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuar; Neni 6/1/2 i K.E.D.Nj; Neni 4 i Kodit të Proçedurës Penale; Neni 9 i Kodit të Drejtësisë Penale për të Miturit.

[2] Neni 6 - 8 i K.E.D.NJ; Neni 12 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut;

[3] Ola IsmailiKoorditatore për Marrëdhëniet për Publikun dhe median në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

[4] Detyrë funksionale e Koorditatores për MPM – Ola Ismaili.

[5] Shiko nenet 26 dhe 173 i Kodit të Procedurës Civile;

[6] Shiko nenet 103, 104, 105, 339, 340 të Kodit të Procedurës Penale;

[7] Shiko Raportin e Inspektimit Datë 29 Shtator 2023 të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, faqet 9, 11, 14, 15, 20

[8] Shiko Raportin e Inspektimit Datë 29 Shtator 2023 të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, faqet 9, 11, 14, 15, 20.